29 Tetor 2004 Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes Bitri në të cilin thuhet: “Lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të Anita Bitrit, vajzës dhe nënës së saj na ka pikëlluar të gjithëve. Si prind, që e di çdo të thotë kjo, marr pjesë në dhimbjen tuaj, që s’ka ngushëllim. Anita ishte në lulen e moshës dhe në kulmin e shkëlqimit të talentit të saj. Iku e re, tragjikisht, por la pas vetes portretin e qeshur, mallin e pashuar të viteve në mërgim dhe mbi të gjitha këngët dhe zërin e saj të mrekullueshëm plot dritë dhe gjallëri. Vepra e kësaj artisteje të madhe nga Vlora do të mbetet përjetësisht në thesaret e shquara të muzikës së lehtë shqiptare”.
Anita Bitri ishte një zëdhënëse e artit shqiptar, ajo ishte një nga këngëtaret më të spikatura shqiptare, me të cilën muzika shqiptare humbi një nga gjeneratorët më të fuqishëm të muzikës së lehtë. Përkujtimi i saj shpreh keqardhjen dhe hidhërimin e thellë për këtë humbje të madhe, tragjike, një humbje familjare. Kjo dhimbje, medoemos që do të vazhdojë gjatë dhe do të mbetet në zemrat tona, ndërkaq duke kujtuar Anitën, ne i bëjmë një nder të madh jo vetëm të ndjerës, por edhe vetvetes duke pasur parasysh moton tonë: “Të kthejmë gjithnjë kokën andej nga kemi ardhur” se i përkasim atij kombi dhe asaj kulture. Duke nderuar këtë këngëtare kemi edhe një të drejtë morale para pasardhësve tanë, që edhe ata të shkojnë në vazhdimësi. Dhe ky është misioni i pavdekshmërisë sonë, misioni i artit shqiptar kudo dhe në çdo vend. Ky mision është që veprat të mos i lëmë t’i mbulojë tisi i harresës, pasi artisti ka detyrën e altarit tempullor dhe misioni i tij është që të bukurën ta përcjellë në popullin e tij. Dhe në emër të së bukurës le të dëgjojmë muzikën e kënduar nga këngëtarja Anita Bitri – e bukura është vetë muzika që ajo krijoi.
Anita Bitri, me pjesëmarrjen e saj, na nderoi në Festivalin e 10-të shqiptar në Nju Jork, më 10 dhjetor 2000. Drejtoria e Festivalit i shpreh ngushëllimet familjes së Anitës, e cila qe gjithnjë e gatshme të marrte pjesë aktive në evenimentet kombëtare të diasporës shqiptare në SHBA. Pastë tokën e lehtë!
Njё kurorë e veçantё, nё nderim tё kёngёtares Anita Bitri, ishte dje ajo e kryetarit tё Bashkisё sё Tiranёs, Edi Rama. Kur kortezhi ka përshkruar rrugën drejt varrezave tё Babicёs, kurora e dёrguar nga Tirana ishte nё ballë tё korteut mortor. Veç tij kurora dhe buqeta me lule tё freskëta kanё vendosur edhe përfaqësues tё Bashkisë sё Vlorёs, tё shkollёs sё muzikёs “Naim Frashёri”, kino-Teatrit “Petro Marko”, etj….
“Vdekja e Anitës, humbje tmerrësisht e dhimbshme” Nё emёr tё qeverisё shqiptare dhe në emër të tij, zoti Sali Berisha, ka përcjellë ngushëllime për familjarët dhe të afërmit e këngëtares së njohur shqiptare, Anita Bitri. Në telegramin e tij, ai ju shkruan familjarëve se: “Lajmi i vdekjes tragjike të Anitës, vajzës së saj engjëll dhe nënës së saj, na ka pikëlluar thellë, mua, bashkëshorten, fëmijët e mi, si dhe të gjithë demokratët dhe shqiptarët, që prisnin me admirim dhe dashuri rikthimin e saj”. Më tej, në telegramin e kryetarit të PD-së thuhet se: “vdekja e Anitës, vajzës dhe nënës së saj, janë një humbje tmerrësisht e dhimbshme jo vetëm për familjen tuaj, por për tërë botën tonë kulturore e shpirtërore, publikun artdashës, që po priste me padurim albumin e saj të ri, rikthimin e saj në skenën shqiptare”. Në fund të telegramit, drejtuar familjarëve dhe të afërmve të këngëtares së njohur Anita Bitri, Berisha shkruan se: “Duke ndarë me ju pikëllimin e thellë dhe zinë për këtë humbje të madhe, i lutem Zotit që shpirti i Anitës, vajzës së saj engjëll dhe nënës së saj, të gjejnë paqen e merituar dhe ju të gjeni forcën për të përballuar këtë dhimbje dhe humbje të pazëvendësueshme”.
Deputeti Limoz Dizdari në një deklaratë të lexuar në parlament, ka kërkuar që qeveria të çlirojë një fond nga buxheti i shtetit për të mundësuar kthimin e trupit të këngëtares Anita Bitri në Shqipëri. Sipas tij, “Bitri ishte një nga zërat më të bukur të Vlorës, ndaj ajo meriton një vëmendje më të madhe nga shteti shqiptar”. Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Limoz Dizdari i ka dhënë ngushëllimet familjes Bitri, duke shprehur dhe dhembjen për humbjen e madhe. Deklarata e Dizdarit është mbështetur nga të gjithë deputetët në parlament, ndërsa është kërkuar ndërhyrja sa më e shpejtë e qeverisë si me fonde ashtu dhe me anë të diplomacisë.
Anita Bitri është një emër i muzikës së lehtë shqiptare, që nuk mund të shlyhet nga kujtesa. Ishin vitet kur ndodhesha në RTSH, fundi i viteve 80 dhe më shumë vitet 90, në këtë periudhë, këngëtarja e cila kishte prirjen e saj natyrore por edhe që diti të kapej shumë mirë me aspiratat e rinisë dhe të muzikës që ajo këndonte, ishte pa diskutim Anita Bitri. Një vajzë e shkathët, rrezatuese, me një temperament të jashtëzakonshëm, me një potencë interpretuese për ta pasur zili, në të njëjtën kohë shpresa e aspiratave për çlirimin e këngës shqiptare nga të gjitha ato kanune që e mbanin atë në kornizat e së kaluarës dhe që duheshin kapërcyer. Jo rastësisht Anita Bitri shkëlqente në koncertet e stinës së të ardhmes, siç është pranvera, por nga ana tjetër ajo shkëlqente dhe mbresonte dhe në festivalin e këngës në RTSH. Anita zotëronte aftësi shumë të mira për sa i përket dëgjimit muzikor, interpretimit, diksionit. Më kujtohet në festivalin e parë, në të cilin unë isha drejtor artistik, ishte pikërisht Anita Bitri që fitoi çmimin e parë të këngës dhe mori si të thuash trofeun e këtij festivali. Anita kishte gjithmonë vendin e veçantë të së ftuarës së festivalit në RTSH. Dhimbja është e madhe pasi humbëm një njeri që e donte jetën, donte artin, kishte besim në zhvillimet e muzikës shqiptare si dhe punoi e kontribuoi për këtë. Për mua ka qenë një kënaqësi e veçantë kur pas mbylljes së ciklit krijues të Anita Bitrit, pikërisht nga trevat e saj, nga Vlora, mbiu një zambak tjetër i këngës shqiptare, Aurela Gaçe, e cila për mua është një vazhduese e atij temperamenti e atij shpirti muzikor për të cilat fola më përpara.
Anita ka qenë një nga plejadat e këngëtarëve të cilët ndërtuan themelet e këngës së lehtë shqiptare. Anita ka punuar me shumë pasion dhe ka pasur një diçitur të jashtëzakonshme. Kishte një bashkëpunim të shkëlqyer me muzikën, vokalin dhe me interpretimin. Ajo ishte shumë e lidhur me skenën dhe me publikun, dinte çfarë këndonte, çfarë transmetonte dhe kjo ishte një anë pozitive e saj. Me Anitën kam nisur bashkëpunimin që në vitet 1985 në shumë koncerte të ndryshme të RTSH-së, në koncertet e pranverës dhe në shumë aktivitete të ndryshme artistike. Nga ky bashkëpunim kanë lindur dhe këngët kaq të bukura që do të mbeten në thesarin e muzikës shqiptare. Ajo është vlerësuar vazhdimisht me çmime nderi. Anita Bitri është një nga këngëtaret më të mëdha të muzikës shqiptare. Rrallëherë lindin talente të tilla. Shqipërisë i humbi një nga korifenjtë e muzikës së lehtë shqiptare. Anita Bitri ishte një këngëtare e kompletuar me të gjithë elementët që i duhen një artisti të vërtetë. Ajo ishte jo vetëm këngëtare, por edhe muzikante e formuar, kishte studiuar për violinë, njihte çdo parametër të këngës, qoftë në harmoni, qoftë në ekzekutim. Anita ishte e lidhur si askush tjetër me skenën dhe e dashuronte këngën duke vlerësuar edhe talentin që i kish falur natyra. Kënga e saj ka lënë gjurmë jo vetëm në jetën e saj artistike, por gjithashtu dhe në muzikën shqiptare. Unë do ta vlerësoja në mënyrë të veçantë krijimtarinë e artistes Anita Bitri pasi kjo veprimtari i shërben të ardhmes dhe krijimtarisë së këtij populli. Populli ynë jo vetëm duhet t’i dojë, por edhe të dëgjojë krijimtarinë që kanë bërë këta njerëz dhe këta këngëtarë që sot janë pjesa më vitale dhe më e pranueshme e këtij populli, sepse kënga dhe muzika zbut shpirtrat. Shteti shqiptar është i obliguar ta vlerësojë me titull të lartë këngëtaren vlonjate, Anita Bitri, pasi ajo ka dhënë shumë për Shqipërinë. E kujtojmë me nostalgji Anitën dhe kjo ishte dhe një humbje e madhe për muzikën shqiptare.
Anita Bitri ishte një artiste brilante me gjen artisteje, që me karakterin, impulsivitein dhe zërin e saj të jashtëzakonshëm i dhuroi spektatorit shqiptar këngë të mrekullueshme që do të kujtohen gjithmonë për mjeshtërinë interpretimit. Kam pasur shumë bashkëpunime me Anitën në disa Festivale të Këngës dhe kam shkruar shumë këngë që janë kënduar nga ajo. Gjithmonë më ka befasuar talenti i saj, pasi Anita nuk ishte vetëm një këngëtare e thjeshtë, por ajo merrte pjesë në kompozimin e këngës, pasi ishte dhe një muzikante e talentuar dhe njihte në detaje solfezhin, prandaj dhe ato këngë që Anita këndoi ishin aq të bukura dhe të magjishme. Anita Bitri jetoj si një artiste, punoj si një artiste, ëndërroj si një artiste, hapi projekte para vetes tamam si një artiste e cila nuk do të shuhet kurrë.
Anita Bitri ka lënë një kujtim të madh në skenën shqiptare. Të gjitha këngët e Anita Bitrit janë shumë të bukura. Ajo ishte një këngëtare e shkëlqyer, me një vokal shumë të mirë. Anita kishte një temperament të mrekullueshëm, një vajzë e formuar dhe e veçantë. Anita gjithashtu ka studiuar për violinë dhe njohja një vegle muzikore i jepte mundësi asaj ta zbërthente shumë mirë këngën dhe e bënte Anitën një këngëtare shumë të formuar. Anita Bitri ishte ndër këngëtaret më të mira të brezit të viteve 90 që erdhën në skenat e festivalit shqiptar. Anita ishte miksazhi mes dy periudhash, viteve 90 dhe mbas viteve 90. Ishte këngëtarja që e mori me hap më të avancuar krejt plejadën e këngëtarëve dhe e parapriu me hap më të sigurt drejt një korrektese moderne artistike. Kam një konsideratë absolute për Anita Bitrin. Ikja e saj ishte një ndarje e parakohshme, pasi ishte një këngëtare që premtonte shumë dhe do të qëndronte gjatë në skenën shqiptare. Nuk kalonte mosha tek ajo, pasi me kalimin e kohës asaj i shtoheshin duartrokitjet. Do ta kujtojmë gjithë jetën buzëqeshjen, shpirtin dhe mrekullinë Anita Bitri.
Anita Bitrit, rrallëherë bashkohen mirësia dhe talenti. Zoti i kishte dhënë një talent të madh, jo vetëm nga ana vokale por dhe nga ana njerëzore. Anita ishte një artiste e vërtetë dhe e mrekullueshme, ajo e personalizonte këngën. Ishte kënaqësi të punoje me Anitën, vajzë e përkryer, e thjeshtë, e qeshur, dhe e shkathët. Anita Bitri dhe pse u largua nga jeta, la një vulë në muzikën shqiptare.
Anita ishte një këngëtare e shkëlqyer. Qëkur e kam parë për herë të parë në skenë, unë kam menduar se do të bëhej një këngëtare e madhe. Dhe kështu ndodhi. Anita Bitri ishte këngëtarja që e bëri të njohur emrin e saj qysh në debutimet e para. Mbaj mend se kur ka fituar çmimin e parë në një festival, e kam puthur dhe i kam thënë: “Ti je artiste e vërtetë”. Edhe ajo qau nga gëzimi. Ishte e mrekullueshme. Një zë i pastër në arenën shqiptare.
E para femër këngëtare, emigruar në Amerikë, që me prezencën e saj brilante – në koncerte, gëzime e festat kombëtare në këtë hapësirë që po krijonte me vitet e saj këtu traditën e mirë: ishte Antia Bitri. Ajo ra menjëherë e “në zjarr” – me këngën e stilin e saj të preferuar, në secilin mjedis, kudo, atje ku jeta ndryshonte çdo ditë, e thuri me plot dashuri e pasion, dhe me etje e dëshmoi se nuk ka gjë më të bukur se kënga, e cila i takon të gjithëve edhe në mërgim. Theu paragjykimet – Solli një të re. Çdo koncert i saj në Amerikë, mbushi boshllëkun e krijuar. E përditshmja frymonte te këngët e saj, në rreshtat e teksteve nga më të ndryshmet, të cilat tashmë të njohur për ne. Vonë shumë e kuptuam profetizmin e saj si një engjëll i Nënë Terezës, e tashmë e njëjta udhë. Ajo duket sikur ende jeton me këngë në buzë, por megjithatë me një dallim: Në ato këngë, melodi apo vargje që ajo na la pas, janë të skalitura vitet e saj në Amerikë”.
Anita Bitri është një nga figurat më të spikatura të interpretimit të muzikës së lehtë shqiptare. Ajo i përket një brezi të shquar interpretuesish, që pasuruan me vlera të veçanta muzikën e lehtë si dhe atë të kultivuar në Shqipëri. Po t’i hedhësh një vështrim muzikës së viteve ’80-’90 e më vonë, është e pamundur të mos shohësh e vlerësosh Anitën dhe kontributin e saj të jashtëzakonshëm në interpretimin e kësaj muzike. Ajo është një përfaqësuese dinjitoze e intepretimit skenik, me shumë temperament dhe cilësi të lartë, gjë që solli një freski dhe vrull rinor në këtë fushë. Anita do të kujtohet gjatë për cilësitë e rrallë vokale, intonacionin e pastër si dhe për botën e saj të pasur shpirtërore. Në këngët e interpretuara prej saj ndjehet qartë pasioni për muzikën, saktësia dhe serioziteti me të cilën ajo trajtonte çdo motiv të materialit muzikor. Duke qenë se Anita kishte studiuar që në moshë të vogël për violinë, ajo ishte në gjendje të trajtonte më së miri materialet muzikore, pasi zotëronte aftësitë dhe përgatitjen e duhur për këtë gjë. Pikërisht sepse zotëronte këto aftësi, disa nga këngët më të njohura të interpretuara nga ajo si “Hartimi dhe Dëbora”, “Abra-Kadabra”, “Dashuria e parë”, “Mos u nxito mos u gabo”, kanë zënë vend të nderuar në fondin e artë të muzikës së lehtë shqiptare, duke qenë një pikë referimi për nivelin e lartë të interpretimit dhe veçanërisht për temperamentin dhe muzikalitetin e shfaqur nga kjo artiste e madhe. Pavarësisht se Anita ishte e prirur më shumë për të interpretuar muzikë të lehtë, gjatë karrierës së saj të suksesshme ajo interpretoi me shumë dashuri e ngrohtësi edhe muzikë popullore nga treva të ndryshme të Shqipërisë, çka e vendos Anitën në një vend të nderuar e dinjitoz përkrah emrave më të shquar të muzikës kombëtare shqiptare. Këngët popullore të interpretuara nga Anita shquhen për origjinalitetin e interpretimit si dhe për përshtatjen me karakteret e veçanta të trevave të ndryshme muzikore, duke i pasuruar ato me vlera të reja e mjaft tërheqëse. Ajo ka zënë një vend të nderuar e të respektuar në elitën e artistëve shqiptarë, duke qenë një shembull i madh frymëzimi për të gjithë artistët e tjerë, kolegë e bashkëpunëtorë të saj. Ndarja e parakohshme nga jeta bëri që Anita Bitri fizikisht ta ndërpresë rrugën e artit, për ta vazhduar atë në kujtesën e të gjithë njerëzve që e deshën dhe e respektuan këtë figurë të shquar të muzikës kombëtare shqiptare.
Unë e kam dashur Anitën si bijën time. Me të kam fituar shumë çmime dhe ka qenë ajo që së bashku me të paharruarin Alqi Boshnjaku, thurnim tekste dhe fitonim çmime në Festivale. Tani ajo shkoj në përjetsi…Atje e pret miku ynë dhe Princi i Teksteve të Këngës, Alqi Boshnjaku. Kujtime të paharruar kam për atë artiste që ishte talent dhe tejet e zhdërvjelltë në interpretimin e këngës ritmike. Nuk dua të përmend sesa këngë i kam shkruar, dua të shkruaj bashkëpunimin e fundit më Anitën. Pra do hedh në këtë mesazh njerëzor vargjet e mija që kurrë nuk do të këndohen prej Anitës!!!!!!!!!! Nëse ju merr malli për mua Dilni mes njerëzve dhe më kërkoni! Me këngë në buzë tërë jetën dua të jem pranë jush…sa më mungoni. Nëse ju merr malli… mos qani! Radio Tiranën paksa dëgjoni!… Dhe një minut heshtje të mbani Unë do ju ndjej! Mos më harroni…! Ëndrra e jetës seç u helmua Tok me Siborën nga ju u ndava… As një pik lot, të rrjedh nuk dua Se larg prej jush unë vetëm qava… Ja ky ish fati…s’kam çfarë të them! Askush prej jush s’mund ta besoj. Po më kërkove shpirtin ma gjen Këngës shqiptare do ti mungoj… Do ti mungoj njerëzve të dashur Do ti mungoj dhe Tokës Mëmë Ika në gjumë… ëndërr përflakur Por do më gjeni vetëm në këngë! Kur dimri i bardhë do derdhë dëborën Kur një hartim do bëjnë fëmijtë Dhe kur në tren dikush prek dorën Do vij t’u sjell gjithë dashuritë! Ika pra ika, ky ishte fati… Hyra në ëndrrën që s’ka mbarim! Udhëtimi jetës kaq shkurt më zgjati?… Veç këngën time…ju lë kujtim!
Shkëputur nga fjala e mbajtur në koncertin e lamtumirës. Anita Bitri ishte artiste e talentuar dhe e shquar e kombit shqiptar. Ikja e Anitës ishte një humbje e madhe, jo vetëm për komunitetin e shqiptarëve të Nju Jorkut por dhe për gjithë shqiptarët që jetojnë në Vlorë, Detroit, Shkup, Prishtinë, Kukës e kudo në botë, për të gjithë ata që kanë njohur Anita Bitrin dhe kanë dëgjuar zërin e saj të ëmbël. Në emër të shtetit shqiptar, qeverisë së Shqipërisë, misionit shqiptar pranë OKB-së, shprehim ngushëllimet tona më të mëdha dhe më të sinqerta për humbjen e artistes së madhe shqiptare Anita Bitri. Anita Bitri ishte një nga talentet e mëdha të muzikës shqiptare, aq e njohur dhe e nderuar nga i gjithë kombi ynë. Ajo i përkiste atij brezi të madh artistësh si Agim Krajka, Frederik Ndoci, Merita Halili etj të talentuar që megjithëse të larguar nga atdheu mbetën me veprën dhe muzikën e tyre simbol i atdhedashurisë, patriotizmit, suksesit jashtë vendit dhe shpirtit të madh shqiptar. Dashuria për atdheun dhe për këngën shqiptare e ndoqi Anitën në të gjithë jetën e saj. Anita u largua nga ne tepër e re, por mbetet në mendjen dhe në zemrat tona e paharruar e nderuar dhe me mirënjohjen e një kombi të tërë për veprën e saj artistike. I përjetshëm qoftë kujtimi i saj. Në ditën e 40 vjetorit të lindjes, emërtohet rruga “Anita Bitri”. Këngëtarja vlonjate bëhet anëtare e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”. Në datën 8 janar, dita e lindjes së Anita Bitirt, Fondacioni “Nermin Vlora” në bashkëpunim me bashkinë e qytetit tё Vlorёs, organizoi ceremoninë e emërtimit të rrugës “Anita Bitri”. Pllakatin e mermerit ku ishte gdhendur emri i këngëtares, e zbuloi Mjeshtrja e Madhe, Edith Mihali. Në këtë ditë të shënuar shumë artistë, pjesëmarrës në këtë ceremoni janë shprehur rreth veprimtarisë të kësaj artisteje të famshme:
Të krijon emocion fakti, që Bashkia e Vlorës, e ka përjetësuar këngëtaren vlonjate, të re në moshë, por me karrierë të pasur, në një rrugë kryesore. Ky shembull duhet përhapur, në mënyrë që të respektohen dhe vlerësohen personalitete të artit, të cilët jo vetëm që kanë kontribuar për qytetin e tyre, por për gjithë Shqipërinë. Anita Bitri u përjetësua si një këngëtare e famshme, duke përcjellë vlerat e këngës shqiptare nëpër botë.
Pak ditë më parë isha në Amerikë për një koncert dhe u mbusha me krenari, për emrin dhe famën që kish lënë Anita Bitri atje. Flisnin jo vetëm muzikantë, dashamirës të këngës, qytetarë të thjeshtë, por edhe personalitete amerikane. Sikurse unë dhe të gjithë shqiptarët u emocionuan kur mësuam që ligjit kundër monoksidit te karbonit në qytetin, ku Anita u shua bashkë me nënë dhe vajzën e saj, i kishin vënë emrin “Ligji Anita”. Ne kolegët e saj dhe i gjithë arti shqiptar, krenohemi për Anita Bitrin, këngëtaren legjendë për nga zëri….
Një rrugë me emrin “Anita Bitri”, është nderimi që i bëhet këngëtares, e cila, megjithëse e re në moshë, ngriti në lartësi të mëdha, sikur të kish jetuar një shekull, vlerat e artit shqiptar, në tokën e saj, në shumë shtete të Ballkanit, por edhe përtej oqeanit. Bilbili i këngës së muzikës së lehtë, është vlerësuar edhe nga diskografia botërore, duke u bërë pjesë e tyre. Anita Bitri, nuk është thjesht te një rrugë, te një këngë, te një film dokumentar, ajo është në fondin e artë të artit shqiptar, në kujtesën e popullit të saj.
Teksa kujtojmë Anita Bitrin, prekim të bukurën, të dhimbshmen. E bukura si vetë bukuria e vlonjates dhe këngës së saj, e dhimbshmja, si vetë tragjikja e shuarjes së jetës së saj në moshën 37-vjeçare.
Një emocion te rruga “Anita Bitri”, një buqetë me lule… Ky është nderimi im për këngëtaren vlonjate, që megjithëse u nda shumë shpejt nga jeta, la pas një karrierë të pasur artistike. Për njeriun nuk ka rëndësi se sa gjatë jeton, por është shumë e rëndësishme, se çfarë emri dhe vepre lë pas. Anita Bitri, la pas një karrierë brilante, që artistë të tjerë, që kanë jetuar dyfishin e jetës së saj, nuk kanë mundur ta arrijnë këtë.
Anita Bitri është një prej figurave vlonjate, e cila mbahet dhe do të mbahet mend për vlerat e saj. Emri i Anita Bitrit do t’i mbetet përjetësisht kësaj rruge ashtu si dhe zëri dhe kënga e saj, që janë një nga emblemat e qytetit tonë dhe që mbajnë të paharruar kujtimin e saj. Është hera e parë që emri i një artisteje të re të qëndrojë në një rrugë kaq të rëndësishme. Është një nder, që nëpërmjet saj u bëhet gjithë artistëve. Ajo ka lënë nëpërmjet këngës së saj një emër të bukur. Kjo rrugë është në zemër të atij qyteti, që ajo e deshi aq shumë dhe që e mbajti përjetësisht në zemrën e saj. Dikur, ajo vajzë e vogël që me violinën në dorë përshkonte këtë rrugë për në shkollën e muzikës “Naim Frashëri”, nuk do ta kishte menduar kurrë se kjo rrugë, që në pranverë dhe në verë kundërmon nga era e luleve të blirit dhe që në zhargonin e përditshëm vlonjatet i thoshin “kapelja”, do të mbante në 40-vjetorin e lindjes së saj, pikërisht emrin “Anita Bitri”.
Kam një lidhje speciale me kolegen time Anita Bitri se vijmë të dyja nga Vlora. Njohja ime me Anitën ka qenë që kur unë isha e vogël. Anitën e kujtoj si violiniste në orkestrinën e Pallatit të Pionierëve në Vlorë. Po ashtu, nё atё periudhë, unë kam qenë pioniere dhe kam marr pjesë në këto koncerte si këngëtare. Vite më vonë e pashë në festivalet e RTSH-së, si këngëtare. Kur e shikoja në koncerte, unë shikoja energjinë e saj, shkathtësinë që ajo kishte në skenë dhe doja të bëhesha si ajo, pasi nuk ishim e njëjta moshë, ajo dilte në skenë, unë ëndërroja të dilja në skenë. Ishte pikërisht, momenti që ajo doli në skenat e festivaleve të RTSH-së, si këngëtare dhe unë si më e vogël se ajo, ëndërroja dhe thosha që edhe unë mund të bëhem si ajo, pasi vinim nga e njëjta skenë, nga i njëjti qytet, kur këndonim kur ishim të vogla bashkë. Për mua ishte diçka e bukur që një vlonjate dilte në skenë, dhe gjithnjë mendoja që edhe unë mund të dilja në skenë. Në familjen time, ka qenë këngëtare shumë e preferuar, jo vetëm për faktin që ishte vlonjate, por ishte shumë e shkathët në skenë, shumë e qeshur, ishte tipike në skenë. Mbaj mend që i kam kënduar këngët e saj në koncertet kur këndoja me shkollën. Dhe çfarë kam vlerësuar unë gjithmonë tek Anita, ka qenë se ajo më ka dhënë për herë të parë dorën kur unë mbarova shkollën e mesme dhe vendosa të shkoja në festivalin e madh të Tiranës. Ajo më ka dhënë dorën të paraqitesha përpara jurisë që përbënte festivalin e madh. “Si ma dha këtë dorë”? – Shtator – tetor 1993, Anita bënte koncertin e saj recital në Pallatin e Sportit në Vlorë, dhe vendosi të më dëgjonte së bashku me dirigjentin e orkestrës së saj, dhe vendosën të më merrnin si këngëtare shoqëruese të Anitës. Mund të them që ishte një nder shumë i madh, ajo ishte në kulmin e saj, në kulmin e karrierës dhe sigurisht për mua ishte një shans shumë i madh që më jepej. Mbaj mend vlonjatët që ishin në këmbë gjithë kohës, dhe këndonin këngët e saj së bashku me të, dhe gëzonin. Kur një artiste bën njerëzit të gëzojnë bashkë me të, mendoj që ky është kulmi i artistit. Pasi, kur artisti bën njerëzit të lumtur, të gëzuar dhe e bënë publikun të harrojë problemet e jetës, ai është artist i vërtetë. Vlerat si artiste, nuk mund t’ia mohoj askush, dhe sigurisht një artist kur është i mirë është dhe njeri i mirë. Anita i ka dhënë publikut momente reale, ishte këngëtare reale, ishte e vërtetë. Dhe publiku është gjykuesi më i madh për një artist. Në qoftë se publiku pëlqen çfarë artisti performon, do të thotë që artisti është i pranuar nga publiku dhe është një njeri me vlera. Mbaj mend diçka të veçantë. Në vitin 1995, Anita ishte e ftuar në festivalin e RTSH-së dhe mbaj mend që më ka thënë një fjalë: – Tani ti dole në skenë, nuk duhet të dalësh më për të mbushur radhët e festivalit, por duhet të dalësh si dikush që kërkon vendin tënd. Në atë moment nuk e kam kuptuar vërtet se çfarë deshi të thoshte, por tani kur kthej kokën pas dhe kujtoj, kuptoj atë këmbënguljen e saj për t’u bërë dikush, për të qenë dikush në jetë. Ja ka arritur, sepse ka qenë tipike në skenë, nuk ka qenë dikush, ka qenë e veçanta dhe prandaj quhej Anita Bitri. Jam e bindur se Ajo tani është engjëll, dhe së bashku me vajzën dhe nënën e saj, është në parajsë. Populli do ta kujtojë Anitën, ashtu të shkathët, energjike, dhe të qeshur ashtu siç ka qenë. Vlorën dhe gjithë publikun që e ka ndjekur e ka bërë të ndihet shumë krenare. Jam e bindur që Vlora, qyteti nga ajo vjen, e ka gjithmonë në zemër.
Anita Bitri ishte një artiste e famshme që nuk do të harrohet kurrë nga të gjithë shqiptarët artdashës e sidomos nga artistët shqiptarë kudo që janë në botë. Ajo e donte shumë këngën dhe qëllimi i saj kryesor ishte të mbante gjallë këngën shqiptare në botё. Kemi realizuar shumë koncerte me Anitën dhe publiku na ka pritur jashtë mase mirë. Anita ishte njё këngëtare me potencial të qëndrueshëm dhe vlerësohej nga publiku për zërin e saj të mrekullueshëm, të kultivuar dhe tepër melodioz. Nё jetën personale Anita ishte e gjithanshme. E dashur me kolegët dhe shoqet dhe tepër sharmane, alegro në familje dhe në shoqëri. Nënë e mrekullueshme dhe njeri shumë i drejtë. Anita Bitri ishte si një fanar ndriçues për të gjithë artistët dhe si e tillë do të mbetet për ne. Arti shqiptar humbi një zë të magjishëm dhe një personalitet muzikor.
Anita Bitri ka qenë artiste e talentuar dhe kolege shumë e mirë. Kemi këndur në shumë koncerte së bashku dhe ishte një talent i veçantë jo vetëm në këngët e muzikës së lehtë, por gjithashtu dhe në ato popullore. Anita shumë këngë i ka kompozuar dhe krijuar vetë, pasi ajo ishte dhe një violiniste e talentuar. Pra ishte një artiste shumë e kompletuar në të gjitha drejtimet. Anita ishte e para në aktivitet artistike dhe ishte një burim poziviteti dhe energjish. Kombi shqiptar dhe diaspora këtu në Amerikë humbi një talent dhe një personalitet artistik. Vepra dhe figura e kësaj artisteje tё madhe do të jetë gjithmonë e pranishme në jetën dhe aktivitet tona artistike.
Ikja e Anitës është një humbje shumë e madhe për gjithë popullin dhe artin shqiptar dhe sidomos për ne kolegët e saj artistë këtu në Amerikë. Anita ishte një kolege e mrekullueshme dhe një artiste e madhe. Kemi kënduar së bashku në shumë koncerte për të mbledhur ndihma për Kosovën dhe ishte pikërisht Anita ajo që e ngrinte publikun në këmbë me talentin e saj të mrekullueshëm. Në vitin 2003 kur bëra albumin “Fiki Dritat” një nga këngët është dhe dueti me Anitën. Më kujtohet bashkëpunimi ynë për këtë këngë. Anita e pasuroi shumë këtë këngë jo vetëm me zërin e saj të mrekullueshëm, por njëkohësisht me disa nga idetë e saj në fushën e notave dhe të kompozimit, sa që dhe kjo këngë, falë bashkëpunimit të saj doli aq e mrekullueshme. Për mua ishte dhe është një privilegj i madh që kam kënduar me Anita Bitrin, që e kam njohur një artiste të madhe si ajo dhe që i takoj epokës së saj. Do ta cilësoja Anita Bitrin si një nga artistet më të mëdha dhe më të talentuara të kohës sonë. Populli dhe arti shqiptar humbi një zë të mrekullueshëm, por artistët si Anita Bitri nuk vdesin kurrë. Pasi vërtet trupi ndalon së punuari por kënga, vepra dhe krijimtaria e saj do të vazhdojnë të jetojnë brez pas brezi.
Anita ishte një artiste me vlera të mëdha. Ajo ishte një artiste me diapazon të gjerë dhe të them të drejtën më ka befasuar me zërin e saj karakteristik, të ëmbël dhe të veçantë. Sidomos më ka befasuar aftësia e saj për të kënduar të gjitha këngët popullore të trevave të ndryshme të Shqipërisë, pasi një gjë e tillë është shumë e rrallë. Anita edhe pse ishte këngëtare e muzikës së lehtë këndonte dhe zotëronte të gjitha këngët popullore të të gjitha trevave të Shqipërisë. Kemi kënduar me Anitën në shumë evenimente dhe në shumë koncerte bamirësie. Anita në skenë ishte shumë e gjallë, e qeshur, dhe e mbizotëronte skenën dhe kur ajo këndonte bënte një ambient të ngrohtë dhe të lirshëm për spektatorin. Ikja e saj është një humbje shumë e madhe për muzikën dhe për Shqipërinë. Të gjithë ne artistët në Amerikë e kemi ndierë dhe do ta ndiejmë shumë mungesën e një artisteje, kolegeje dhe shoqeje të përsosur si Anita Bitri.
Pjesë e shkëputur nga fjala e mbajtur në koncertin e lamtumirës: Në emër të Akademisë Shqiptare të Shkencave, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta gjithë popullit shqiptar dhe veçanërisht botës së artit shqiptar për këtë humbje kaq të madhe dhe të pallogaritshme të artistes së famshme shqiptare, Anita Bitri. Në të gjitha koncertet dhe veprimtaritë e organizuara këtu në Amerikë pjesëmarrja e Anitës ishte e padiskutueshme dhe e mirëpritur nga të gjithë artdashësit. Të gjithë kur e dëgjonim të këndonte, e cilësonim si “bilbilin shqiptar” dhe zëri i saj buçiste në skenat shqiptare. Arti shqiptar humbi një figurë të shquar të këngës së lehtë, por arti dhe muzika që Anita Bitri krijoi do të mbeten në thesaret e muzikës shqiptare. Ne si Akademi shkencash do ta kujtojmë gjithmonë me respekt dhe mirënjohje këtë artiste kaq të shquar të skenës shqiptare.
Anita Bitri ishte një nga këngëtaret më të famshme shqiptare dhe muzika e saj u ka lënë mbresa të thella jo vetëm artdashësve shqiptar por edhe atyre të huaj. Kur Anita Bitri këndonte të gjithë mendonin se është zëti i parajsës. Anita Bitri këndoi këngë magjike dhe ajo i përket vetë parajsës. Te figura e kësaj këngëtareje të madhe ishin të gërshetuara harmonia, emocioni, shpirti, bujaria, personaliteti i veçantë të një artisteje të madhe. Përkulem plot respekt përpara këtij personaliteti të lartë muzikor dhe muzikës së madhërishme që ajo krijoi. Anita Bitri do të mbetet gjithmonë në zemrat dhe në mendjen e të gjithë shqiptarëve dhe muzika e saj hyjnore i përket thesarit të muzikës shqiptare.
Anita Bitri kjo këngëtare e mrekullueshme nga Vlora që në fillim të karrierës së saj artistike është prezantuar si një vajzë tepër e talentuar dhe shumë energjike në të gjitha aktivitetet muzikore. Ajo shumë shpejt spikati për gjenialitetin e saj dhe talenti i saj i veçantë në fushën e muzikës u vu re menjëherë nga të gjithë specialistët e kësaj fushe dhe sidomos nga dashamirësit e muzikës. E theksoj dhe njëherë, Anita Bitri ishte një këngëtare e shkëlqyer dhe një personalitet muzikor. Anita Bitri kishte shumë obligime profesionale dhe shumë plane për të ardhmen. E gjithë jeta e saj ishte e lidhur me muzikën. Dhe, ajo mbeti një fenomen i muzikës. Anita Bitri dha një kontribut shumë të madh në artin shqiptar. Arti shqiptar pësoi një humbje të rëndësishme dhe ne artistët do ta ndjejmë shumë mungesën e një fenomeni të tillë.
Anita kishte lindur bashkë me talentin për art, muzikë e letërsi. E formuar që në moshë të vogël dhe me pasionin për muzikën, ajo konsiderohet e shquhet për të ruajtur të pastër këngën popullore dhe të lehtë shqiptare, përpjekjet e saj për të kultivuar tradicionalen, baladën dhe këngën lirike shqiptare. Këmbëngulja dhe puna e palodhur e gjeniut të violinës, prof. Robert Papavrami, mishëruan artin e vërtetë muzikor të këngëtares së ardhshme Anita Bitri. Prezantimi i Anitës si këngëtare erdhi si një fryt i ëndrrave të saj, të bëhej këngëtare e famshme si idhulli i saj, Vaçe Zela, këngët e saj, të cilat i këndonte me pasion. Këngët e interpretuara nga Anita Bitri, qëndrojnë ende të freskëta, si dikur në koncertet që ajo jepte brenda e jashtë vendit, veçmas në Diasporën shqiptare të Amerikës, e identifikuar si këngëtare tipike e identitetit muzikor shqiptar në tokën e huaj. Anita Bitri ishte Ambasadorja vlonjate e përhapjes dhe integrimit të Shqipërisë në botë, nëpërmjet artit dhe kulturës, që Anita jonë këngëtare e kishte mishëruar artin e kulturën, në talentin e saj. Sot për sot edhe pse Anita Bitri prehet në Paqen e Amëshuar, ajo mbetet këngëtarja – perlë dhe unikale për gjeneratën e artistëve që ajo i përket – dhe vitet e kontributit të saj duhen ruajtur dhe përjetësuar, si një vlerë e çmuar kombëtare, artistike e historike.
Karriera artistike e Anita Bitrit fillon nё festivalin e fëmijëve, ku spikat talenti i ardhshëm i skenёs shqiptare, e cila vazhdon nё shkollën e muzikёs “Naim Frashёri” dhe mё pas do tё trondiste dhe skenën shqiptare me zёrin e saj magjik. Nga fundi i viteve `80 dhe deri nё momentin qё emigroi nё Amerikё, këngëtarja Anita Bitri u bё njё zё i famshёm, qё u shoqërua me çmime nё festivalet kombёtare nё RTSH. Ajo u rrit dhe u profesionalizua nё fushёn e artit, sidomos nё fushёn e kёngёs. Anita Bitri ishte njё idhull pёr qytetarёt e Vlorёs. Por fama e saj do tё depёrtonte deri nё Amerikёn e largёt dhe me tё drejtё shtypi amerikan e ka cilёsuar Anita Bitrin njё Madonё shqiptare. Por kjo Madonё shqiptare edhe përtej oqeanit përcolli virtytet, talentin dhe temperamentin, e njё këngëtareje tё famshme shqiptare. Anita Bitri u nda prej nesh kur kishim aq shumë nevojë pёr zёrin dhe talentin e saj. Familja humbi tre anёtarё tё familjes, qytetarёt vlonjatё humbёn tre bashkёqytetare tё mira, Arti humbi njё kёngёtare tё madhe, siç ishte Anita.
Anita Bitri was a faithful AANO member since our inception…She was among the first artists who contributed her time and talent to all our events. She always offered her participation in our concerts and events to support mothers and children in Kosova and Albania during the war. She did not withhold her enthusiasm when we worked to help with refugees, in their hope for a better life. She always wanted to be there to inspire people. We remember her always smiling and dancing. She knew how to bring the spirit of joy among the crowds where she sang. It was on mother’s day that she contributed her time and talent and sang for AANO’s event, which we organize annually. People were beyond themselves in joy, listening to her sing, dance, and remember their homeland. Anita came in this country from the city of Vlora, in Albania at the time when Albania was going through a very difficult time. She came to the U.S. for a better life and in a very short time she stole the hearts of our community. “She represented beautifully Vlora to me” said our President Dr. Anna Kohen, “We have to keep her memory alive.” She continued. Anita’s life was a reflection of thousands of lives of women who came from Albania trying to escape disastrous economic, social and political situations. Artists in Albania usually were repressed and they seeked freedom of expression. In New York they felt free, they had an opportunity and they followed their dream. Her public always loved Anita. She sang in many important events organized by Albanian American Women’s Organization as well as National Albanian American. She tried so hard to make it across the borders…one of our concerts we organized for her was titled: “Music Beyond Borders,” which took place in Cami Hall in 2001…She strived to bring Albanian music to the American audiences and promote our culture with pride. She was a wonderful mother; she loved her daughter Sibora (like snow). Today she made the headlines and for us it is a very sad day because as she brought people together in life she is also bringing them in death and AANO mourns for losing a good friend and dear member.
Anita Bitri ka filluar pjesëmarrjen e saj si profesioniste e këngës së lehtë në festivalet në Radio Televizion, nga 1989-ta deri në 1996-ën, vit në të cilin ajo do të largohej nga vendlindja për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa prej këngëve më të njohura të kënduara nga ajo në këto vite janë: “Dashurinë e parë”, “Abra Kadabra” etj… Por, jeta artistike e Anita Bitrit nuk është vetëm kjo. Prej vitit 1987, deri më 1992-shin, kontribuon si këngëtare profesioniste pranë trupës së Estradës “Petro Marko” në Vlorë. Po në këtë qytet, ajo përjetoi ditë suksesesh të mëdha, pasi publiku nuk e linte atë lehtësisht të dilte nga skena. Në vitin 1993, edhe pse e shkëputur nga trupa e estradës si profesioniste, Anita rikthehet në Vlorë dhe realizon koncertin e parë recital në jetën e saj. Me madhështi elektrizon 4000 spektatorë, duke rikonfirmuar edhe një herë se ishte një këngëtare me një sukses të padiskutueshëm. Në këtë koncert, me shumë dashamirësi Anita i dha mundësinë të ngjitej në skenë edhe një tjetër këngëtareje të ardhshme, Aurela Gaçes. Kjo ishte Anita, modeli apo etaloni që e ndoqën në të ardhmen edhe këngëtaret e tjera, të cilat u evidentuan më vonë. Anita Bitri ishte tashmë “ambasadorja” e këngës dhe këngëtarëve vlonjatë në skenat më prestigjioze të asaj kohe. Mbas vitit 1996 e në vazhdim, emigrimi vërtetë e shkëputi Anitën fizikisht, por kënga e saj vazhdoi të dëgjohej dhe të këndohej si një vlerë e papërsëritshme. Ajo nuk mund ta mendonte veten e saj në cilindo vend të botës që mund të ndodhej, pa muzikën. Këtë e vërteton më së miri puna që ka arritur të bëjë atje me produksionet e reja, me projektet që i kishte shumë të afërta, por që nuk mundi t’i realizonte. Të flasësh për Anitën është shumë pak. Organizimi i një festivali të përvitshëm të këngës dhe interpretimi në Vlorë me emrin “çmimi Anita Bitri”,është minimumi i obligimit moral dhe shpirtëror, si dhe vlerësimi ndaj kësaj artisteje të madhe të këngës shqiptare.
Jeta e Anitës ishte një reflektim i jetës së mijëra grave që u larguan nga Shqipëria të detyruara nga gjendja e vështirë ekonomike dhe politike. Ajo erdhi këtu si shumë emigrantë të tjerë për një jetë më të mirë dhe për një kohë të shkurtër me këngën dhe zërin e saj ajo “vodhi” zemrat e komunitetit. Ajo këndoi në shumë aktivitete të rëndësishme të organizuara nga Organizata e Gruas Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qiriazi”, nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan, por dhe nga organizata të tjera që veprojnë në SHBA. Tashmë sjellim ndër mend Anitën dhe kontributin e saj. E kujtojmë si anëtare të organizatës sonë. Ajo gjithmonë ka marrë pjesë në koncertet që organizonim ne në mbështetje të nënave dhe fëmijëve në Kosovë dhe në Shqipëri gjatë luftës. Ajo ishte plot entuziazëm kur ne punonim për të ndihmuar refugjatët nga Kosova. Ajo gjithmonë donte të ishte atje që të inspironte popullin. Ne gjithmonë e kujtojmë duke buzëqeshur dhe duke vallëzuar. Ajo dinte të sillte shpirtin e gëzimit në ambientet ku këndonte. Kujtimi më i freskët për të rri akoma zgjuar, kur me talentin e saj ajo këndoi në Ditën e nënës, një aktivitet që Organizata e Gruas Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qiriazi” organizon çdo vit. Do ta kujtojnë Anitën të gjithë admiruesit e muzikës, kur ajo hyri në zemrat e tyre për herë të parë me këngën “Mos u nxito, mos u gabo”, e më pas me “Dashurinë e parë, kush nuk e provoi”, “Dashuria e parë”, “Zemra fal”, “Për ty ëndërroj”, “S’ka formulë në dashuri”. Në këtë rrugë pa kthim, Anita Bitri la pas një numër të madh këngësh, këngë malli dhe dashurie, këngë dhimbjeje dhe shprese. Kënga dhe zëri i Anita Bitrit do të mbetet përherë e blertë në muzikën shqiptare.
Për sa i takon këngës “Hartimi dhe dëbora”, unë gjithë suksesin e kësaj kënge ia dedikoj vetëm interpretimit dhe zërit, të së dashurës shoqes sime, Anita Bitri. Ishte viti 1987 kur unë papritur u frymëzova dhe vendosa të shkruaj tekstin dhe muzikën e një kënge që kurrë nuk kisha menduar se do të bëhej aq familjare dhe e dashur për gjithë shqiptarët. Sapo kishim mbaruar maturën. Dihet që çdo kompozitor dëshiron për këngën e tij të gjej interpretuesin më fantastik që është e mundur… Pasi e kisha hedhur më tepër si ide, pothuajse të mbaruar…i them Anitës “Si thua a do ta këndosh ti këngën time?!?E kam shkruar enkas për ty”… E pranoi pa asnjë dyshim dhe kështu filluam punën të dyja…ishte gjithmonë bukur të punoje me Anitën. Ajo ishte një burim energjish, talenti, force, pozitiviteti, gëzimi, hareje…ishte shumë e kompletuar, një artiste e vërtetë. Kënga ishte shkruar dhe do të këndohej në “Festivalin e Këngës” në Vlorë. Më kujtohet si tani, filluam të bënim provat në Pallatin e Kulturës çdo pasdite… Anita e adhuronte këngën që i kisha besuar…derdhi mbi të gjithë dashurinë dhe talentin e saj… Kështu edhe kënga u pasurua shumë nga ky talent sa doli e përkryer për të arritur në çmimin e parë në natën e tretë të Festivalit të Këngës në Vlorë gjë e cila nuk e kisha kurrë imagjinuar…edhe sot falënderoj Anitën, zërin dhe talentin e saj që i dha aq vlera këngës sime… Jo vetëm me zërin e saj por edhe me interpretimin brilant….. Kjo këngë sa do që u vlerësua me çmimin e parë do të mbetej thjesht brenda mureve të Vlorës…pasi jashtë saj e dërgoi vetëm Anita…Ishte maj i vitit 1987 kur filloi Festivali i Zërave të rinj në Tiranë …në të cilin padyshim Anita do të merrte pjesë… Kur e dëgjuan në Radio Televizion, këtë talent shumë natyral dhe autentik, i thanë (nuk më kujtohet mirë por më duket Zhani Ciko): – “Që të kesh sukses dhe të jesh Anita e vërtetë pa dashur të imitosh askënd duhet të zgjedhësh një këngë që mundësisht nuk është kënduar më parë…..” Anita në çast tha: – ”Po unë kam fituar çmimin e parë në Vlorë me këngën Hartimi dhe Dëbora… është e mundur?” Kështu që u pranua dhe u këndua prej saj kompozimi im dhe ky ka qenë një moment magjik për mua si kompozitore (mos të ishte Anita nuk do të ishte bërë aq e njohur kjo këngë). Anita u vlerësua me çmim dhe këto ishin hapat e para të saj në karrierën si këngëtare, hapa shumë të çmueshëm e me vlerë…Nuk e besoj se në hapat e para të gjithë këngëtarët fitojnë çmime!!!
Një kujtim tjetër më ka mbetur në zemër dhe në mendje është një xhest i saj shumë i këndshëm dhe Nobël. Ishte viti 2002, Anita ishte duke dhënë një nga koncertet e saj në Nju Jork. Në sallë ndodheshin dhe shumë spektatorë shqiptarë. Nga mesi i koncertit, kushërira ime e parë që banon në Nju Jork i afrohet dhe i thotë: – “Unë jam kushërira e Laureta Çukut” …Anita menjëherë ndryshon programin e koncertit dhe thotë: – “Tani do të dëgjoni këngën e kompozuar nga shoqja ime e klasës, me të cilën e përshëndes, ajo është me banim në Itali, quhet Laureta Çuku, dhe është kënga e parë e cila më ka bërë të njohur si këngëtare”….E këndoi, me një mall e pasion që i ndrisnin sytë dhe zemra, më tregon kushërira ime. …Sa gjëra të vogla por tepër domethënëse janë këto…unë p.sh. nuk do ta harroj kurrë sa të jem këtë xhest kaq sa të thjesht por edhe mirënjohës nga ana e saj.
Me Anitën kam qenë shoqe klase për 12 vjet. Nuk janë pak. Anita ishte shumë energjike, ishte gjithmonë e para në orën e fizkulturës, e para në punën prodhuese, e para në aksione, në vrap, në gjithçka…shumë shpesh kur ndaheshim në dy grupe për të lozur, ziheshim kush grup do të zgjidhte Anitën, pasi fitorja me të ishte e sigurt. Ishte një artiste e vërtetë jo vetëm në sferën muzikale por edhe si aktore… Shpiegoj më qartë. Një ditë, ishte rreth 13-14 vjeçe, ishim një grup shoqesh dhe duke folur e qeshur siç ndodhte zakonisht kur ndodheshim së bashku në orët e lira të mësimit… Anita thotë: ”Ju e dini që unë mund të qaj siç bëjnë aktorët nëpër filma?!?” Ne u habitëm të tëra duke e parë… nuk ishte as e mërzitur dhe as e trishtuar…. ”Prisni një minutë“ na tha dhe pasi u përqendrua duke parë në një pikë të vetme, filluan t’i rridhnin lot dhe ishin lot të vërtetë…. Ne mbetëm të shtangura… Kur mbaroi, qeshi sigurisht me habitjen tonë dhe na tha se kishte provuar disa herë edhe në shtëpi dhe për të ishte një gjë normale. Ishte një artiste e kompletuar në të gjitha drejtimet. Një burim i vërtetë energjish, talenti, dashurie dhe mirësie. Kur bëheshin koncertet e fillimit të vitit shkollor (flas me tepër kur ishim në 8-vjeçare), Anita ishte gjithmonë një nga elementët kryesor ose do të këndonte, ose do të recitonte… ishte e mrekullueshme edhe në recitimet e saj me shpirt e emocion. Në komodinën time është një foto, Anita, mësuesja e klasës së dytë dhe unë. Është një foto shumë e bukur, bërë në qendër të Vlorës te monumenti i Ismail Qemalit, foto që më sjell në mendje vitet e bukura të shkollës dhe shoqen e klasës dhe këngëtaren time të adhuruar…duke menduar që vitet e fundit shkruante dhe kompozonte…..
E Enjte, 21 Tetor 2004 (Shkëputur nga gazeta “Korrieri”). VLORË – Në mjediset e artit në Vlorë, kolegë të saj tregojnë për “Korrieri”-n, se Anita ishte rritur me këngën dhe se kishte shumë dashuri për vendin e saj të lindjes. Regjisori i Teatrit “Petro Marko”, Luftar Veshi tregon se Anita ka punuar dhe ka dhënë një kontribut mjaft të çmuar në Estradën Profesioniste të Vlorës. Madje thotë ai, “Anita ishte një këngëtare që e mposhti diktaturën duke dalluar mjaft nga këngëtarët e tjerë”. Ndërsa humoristi Afrim Agalliu shton se Anita u rrit në skenën e Vlorës. “Ajo nuk shkëputej asnjëherë prej saj, dhe nga aktivitetet që zhvilloheshin në estradën e qytetit të saj”. Drejtori i Ansamblit Popullor, Haxhi Dalipi, dikur udhëheqës artistik në Vlorë, kujton hapat e para të Anita Bitrit gjatë një interviste me gazetaren Alma Mile. 21/10/2004 Brooklyn Media Lab Atëherë ajo ishte ende një vajzë e vogël, që mësonte violinë në shkollën artistike në Vlorë. Kishte ëndrra pafund. Dëshironte të bëhej si Vaçe Zela dhe të dridhte skenat e festivaleve. Në ato vite, drejtori aktual i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Haxhi Dalipi, punonte si udhëheqës artistik në qytetin e Vlorës dhe e kujton fare mirë vajzën e vogël, që shumë shpejt u bë e madhe. Dalipi kujton: “Anita spikaste për cilësitë e veçanta prej muzikanti dhe temperamentin artistik. Kuptova potencialin dhe nisa që ta stimuloj më tej për të kultivuar pasionin për muzikën, veçanërisht për këngën, edhe pse më shumë se një herë i këshilloja që të bëhej dirigjente. Por ajo duke qeshur më thoshte: “profesor kur refuzova violinën e Papavramit….”. Ky “refuzim”, nuk ishte gjë tjetër veçse konfirmimi i pasionit të madh që vogëlushja Bitri kishte për këngën. Që fëmijë kishte një natyrë shumë të hapur, të çiltër dhe shumë të vendosur. Kishte disa cilësi, përmes të cilave ndjeheshin bulëzat e artistit”. Bulëza, që do të shpërthenin bujshëm me një këngë, e cila u mendua enkas për të ishte “Hartimi dhe Dëbora”. Ky ishte shpërthimi i parë skenik. Një shpërthim, i cili do të përsëritej sa herë, që Anita Bitri do të ngjitej në skenë dhe do të shfaqte vokalin e saj të shkëlqyer. – E keni njohur Anita Bitrin, që fare të vogël, ç’mund të kujtoni prej fëmijërisë së saj? – E kam njohur Anitën që të vogël, që në hapat e para të formimit të saj artistik dhe ende e ruaj imazhin e saj të dikurshëm. Ajo ka qenë një nxënëse shumë e talentuar në shkollën artistike “Naim Frashëri” të Vlorës. Ka studiuar për violinë dhe ka qenë nxënëse e mjeshtrit Robert Papavrami, të cilin ajo e kishte idhull dhe siç thoshte ajo shpesh: “Sa herë mësoj një këngë të re, më kujtohen këshillat e tij për logjikën e formimit të frazës muzikore”. – Ç’mund të na tregoni për karakterin e saj, çfarë e bënte të veçantë? – Të gjithë mësuesit e shkollës artistike “Naim Frashëri” të Vlorës e kujtojnë Anitën e shkathët, me një gjallëri të jashtëzakonshme. Kishte një dëgjim perfekt, vitalitet dhe një ndjeshmëri të thellë. Ishte një vajzë me ambicie. Nuk pranonte kompromise dhe asnjëherë nuk pranoi një këngë për të qenë e pranishme në skenën e festivaleve. Kjo bëri që ajo të dilte shumë shpejt prej radhës dhe të spikaste si një individualitet. – Cili ishte hapi i parë i saj drejt botës së këngës? – Kujtoj një moment që do të luante një rol vendimtar në të ardhmen si këngëtare të Anitës. Një shoqja e saj e klasës kompozoi një këngë, e cila është e njohur për pjesën më të madhe të shqiptarëve: “Hartimi dhe Dëbora”. Në atë kohë ne bënim një festival në Vlorë dhe i pari zë që më erdhi në mendje, që mund të këndonte këtë këngë ishte ai i Anitës. Ajo ishte një këngë e bukur, e brishtë, por e veçantë. Më kujtohen sytë e Anitës, kur e mori në duar këtë këngë, buzëqeshja e saj … Ishte maturante atëherë. Që në atë moment bashkë me kolegët besuam se do të përcillnim diçka të veçantë, jo thjesht për shkak të krijimit, por sepse atë do ta këndonte Anita. Një interpretim i parë, por edhe i suksesshëm… E vërteta është që Anita e ka interpretuar shumë bukur këtë këngë, ajo fitoi çmimin e parë në Festivalin e Vlorës, më tej e sollëm në Anketën Muzikore, ku gjithashtu ka fituar vendin e parë. Kjo këngë u ruajt gjatë në kujtimet e njerëzve, sepse të gjithë i kanë kaluar këto emocione, por mendimi im është që ka qenë pikërisht Anita Bitri që i përcolli këto emocione te të gjitha brezat, madje edhe tek ata më të rinj, të cilët nuk kanë jetuar në ato vite, kur është kënduar kjo këngë. – Keni mbajtur më tej lidhje me këngëtaren? Anita e vogël u bë e madhe. Më tej vijuan të tjera këngë të suksesshme … Megjithatë lidhjet i kemi ruajtur edhe më vonë, kur ajo u bë e njohur. Asnjëherë nuk i harroi mësuesit e saj, madje edhe në intervistat që ka dhënë në shtypin e përditshëm, e ka përmendur ndihmën që unë dhe kolegët e mi, i kemi dhënë, për të hedhur hapat e para drejt skenës. Edhe kur u largua në Amerikë, telefonatat dhe urimet e saj do të ishin të pranishme në çdo festë. Ishte një vajzë tepër e dashur.
Anita është një Yll muzike në qiellin e Diasporës dhe të Mëmëdheut Anita Bitri që nga fëmijëria e saj sjellë pranë nesh dallgë drite në shpirtin e muzikës shqiptare. Me violinën në krah që e mbante ngjitur në trup si një brinj të kraharorit interpretonte dhe këndonte mjeshtërisht në skenat shqiptare duke e filluar me Vlorën artdashëse që e duartrokiti pafundësisht. Ajo udhëtoi me këngë në buzë deri në festivalet e Këngës së RTSH-s, ku në ballin e saj të bukur qëndrojnë një grusht xixëllonjash si kurorë çmimesh nga festivalet e ndryshme… Zëri i saj është drithërimë shpirti i një këngëtareje me kokë të bukur gruaje në harmoni antike dhe moderne me tekstet e saj si ujëvara malesh që derdhen si argjend mbi ishullin e muzikës shqiptare. Mes shkëlqimit të syve të saj kanë qëndruar mbi qepalla tetë notat e pentagramit që hapen e mbyllen si një harpë. Zëri i saj ndihet kudo dhe me artikulacionin gati hyjnor rrëmben si një uragan zemrat e dëgjueseve. Ajo dashuron marrëzisht këngën ndaj dhe shpirti i saj mbeti si me magji vetëm në këngë, aty endet, e prekim, këndojmë dhe shuajmë etjen në ngjallje… Vibrimet e zërit të saj duket sikur vallëzojnë dhe bëjnë balet si roli i saj në fëmijëri në Bletën punëtore e cila fitoi çmimin e jurisë në Festivalin e Fatosave të rrethit të Vlorës si kërcimtarja dhe këngëtarja më e mirë e Festivalit. Ajo trokiti në dritaren e një Kombi si me sqepin e zogut me pendë të mëndafshta që lajmëroi rënien e dëborës së parë kur zilja i ftoi për të shkruar hartimin në klasë. Ishte kënga e parë në rang kombëtar: “Hartimi dhe Dëbora”, këngë që u mësua përmendsh nga shumë dëgjues të rregullt të saj. Zëri i saj brilant tërhoqi vëmendjen e shumë kompozitorëve dhe autorëve të njohur si të Alqi Boshnjakut, Flamur Shehut, prof. Papavramit etj…. të cilët e shikonin si një lule e bukur që çel edhe në ngricë stinash. Artistët gjithmonë kanë nga një idhull që i frymëzon qysh herët e për Anitën ishte bërë legjenda “Vaçe Zela” që i dhuronte klorofil degëve të saj të gjelbra në këngë. Anita rritej, zbukurohej kishte filluar të këndonte në shumë skena, Osman Mula bashkëpunoi me të për këngën “Eja”, këngë që u interpretua në Festivalin e klasës punëtore në Elbasan, dhe duart e tyre me kallo e duartrokitën gjatë, ajo shëronte, zbuste lodhjet dhe dhembjet e njerëzve, se kënga është ilaçi më i mirë, medicina e shpirtit. Kompozitorët më me emër dëshironin ta kishin Anitën pjesë të ekzekutimeve të krijimtarisë së tyre ku njëri prej tyre ishte David Tukiqi, Anita do tё interpretonte këngën e kompozuar prej tij. “E vogla mes shoqesh” që u vlerësua me çmim të tretë. Anita Bitri kishte sensin e bashkëpunimit, me një disiplinë të hekurt artistike arriti të ishte ndër më të njohurat dhe të korrte suksese të njëpasnjëshme, kështu dueti me Frederik Ndocin me këngën “Shikomë në sy” me tekst të Irma Kurtit ishte një sukses tjetër i këngëtares. Ishin tinguj që po pushtonin hapësirat pafund mbushur me melodi. Hapësirat nuk kishin kufij për Anitën, ishin pa roje ndaj zërin e saj e çuan në Turqi në Festivalin Ballkanik në pranverën e erërave të reja në vitin 1990. Me këngët e bukura lirike që më së shumti i këndoi dashurisë kësaj ndjenje që mban ndezur zemrat e njerëzimit, Anita bashkëpunoi ngushtë me Flamur Shehun, Jorgo Papingjin, Artur Dhamon, Gjergj Lekën e shumë të tjerë, këngë që po dëgjoheshin dhe në skenat europiane. Fama e saj mori dhenë në Shqipëri, Tropoja vendi që të vështron me sy të kaltër dhe që zbukurohet nga perla e mrekullueshme Valbona. Një grup muzikor popullor i të cilës e ftoi për ta çuar në Amerikë. Ushqimi i saj shpirtëror ishin arti, muzika, pentagrami ku me gishtat e saj luante dhe ngjitej për të arritur qiellgërvishtësit e Nju Jorkut, ëndërr e kahershme e saj, ëndërr që dukej se ishte dhuratë e Zotit thirrur në Valbonë, si një pulёbardhё mbi valët e saj herë blu të thellë, e herë në ngjyra marramendëse që vetëm një shtojzovalle e tillë mund të zhytej dhe të dilte aq e kaltër si ngjyrë qielli në Verë. Ajo e hodhi hapin e sigurt në tokën e premtuar, vinte me një pasuri të rrallë, i sillte Diasporës shqiptaro-amerikane një ornament të çmuar me një dritëz hyjnore si bekim në Pemën e gjelbër të saj. Albumi i parë që do ta titullonte “Malli”, kishte brenda peshën e lotit të një artisteje të madhe që mblidhte lotin e gjithë emigrantëve. Albumi ishte “Monumenti i Lotit” që Anita e kishte skalitur me daltën e skulptorit duke e gatuar në magjen e mallit të pashuar. Anita ishte prezente me zërin dhe këngën e saj në shumë koncerte tё zhvilluara nga organizata dhe shoqata të Diasporës, si dhe nga institucione të rëndësishme botërore dhe amerikane si në Kombet e Bashkuara etj… Këndoi në koncert me Inva Mulën, Pirro Çakon ku një mbështetje të madhe i ka dhënë dhe fotografi i famshëm Fadil Berisha. U takua me yje të ndritur të muzikës amerikane të cilët e ftuan në botën amerikane për tё projektuar ëndrrat e saj, ëndrra që donte t’i realizonte si një artiste shqiptare me identitet Arbёresh. Anita, si çdo emigrant shqiptar në botë, mezi priste për të shkuar në Shqipëri, më në fund i vjen dita e shumëpritur ku përulet dhe puth tokën shqiptare pas 9 vjetësh si në legjenda, 9 male kaptuar. Ajo prezantohet para publikut që e priti me aq mall e dashuri me albumin e ri “Çdo gjë është e mundur”. Në këtë album ajo këndon mahnitshëm dhe me vajzën e saj, Engjëlloren, Sibora. Pasi u ngarkua me një mall të pashuar kurrë, për motrat dhe vëllezërit që la në Mëmëdhe, ajo kthehet në tokën e premtuar, ku kishte ndërtuar një folezë tjetër të argjendtë në të cilën jetonte një zogëz e bukur Sibora që e priste, e cila vetëm cicërinte dhe përplaste krahët e lirë për mamin e saj muzikante dhe këngëtare. Ajo u kthye në Amerikё me ëndrra tё reja, projekte ambicioze, tё cilat i la përgjysmë ngase engjëjt e rrëmbyen vetëtimthi në qiell në moshën më të bukur të saj, me nënën dhe vajzën engjëllore një tjetër këngëtare e vogël që premtonte shumë. Zemra ime u thye, do të thoshte për gazetën e mirënjohur amerikane “Daily News” producenti James Avatar, në ceremoninë mortore që u organizua në “First Evangelical Free Church” në Brooklyn ku morën pjesë qindra shqiptarë dhe artistë nga Diaspora në nderim të saj, pasioni i saj për muzikën në këtë tragjedi duket sikur u zbeh nga dashuria e saj e madhe për vajzën dhe nënën. Qyteti i Vlorës e ka nderuar bijën e saj duke i vendosur një rruge me emrin: “Anita Bitri”, në ditëlindjen e saj të dyzetë. Anita është përherë në zemrat e publikut me këngën e saj në buzë, që nga kaltërsitë ajo sjell me krah magjie meloditë e shenjta qiellore, melodi që i posedon vetëm kjo racë artistësh. Shpirti i saj i lirë endet kudo, fryma e saj këngëzohet në fluturim si rrahjet e krahëve të një pulëbardhe mbi valët me shkumë të bardhë të detit Jon, ajo është aq pranë nesh si kënga mjaltë mbi buzët e saj.